Kryeministri Edi Rama ka vijuar fjalimin e tij në parlamentin izraelit, Knesset, ku u ndal te zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe pozicioni i Shqipërisë lidhur me konfliktin mes Izraelit dhe Hamasit.

Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se është udhëheqësi i dytë, pas presidentit amerikan Donald Trump, që mban një fjalim në Knesset, duke e cilësuar këtë si një moment domethënës për Shqipërinë dhe marrëdhëniet mes dy vendeve.

Kryeministri shqiptar u shpreh qartë se përgjegjësia për dhunën i takon Hamasit, duke deklaruar se organizata është bartëse e një ideologjie terrori. Sipas tij, kjo ideologji dëmton njësoj si popullin palestinez, ashtu edhe popullin hebre. “Xhelati është Hamasi dhe askush tjetër”, u shpreh Rama gjatë fjalimit.

Ai theksoi se Hamasi përfaqëson një dogmë totalitare dhe se pa çarmatosjen dhe çmontimin e plotë të kësaj organizate nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme në rajon. Rama nënvizoi se çdo përpjekje për paqe do të mbetet e përkohshme, për sa kohë që Hamasi vazhdon të veprojë si forcë e armatosur.

Në përfundim, kryeministri rikonfirmoi qëndrimin e Shqipërisë në mbështetje të paqes dhe stabilitetit në Lindjen e Mesme, duke theksuar se lufta kundër terrorizmit është një kusht i domosdoshëm për sigurinë dhe bashkëjetesën në rajon.