Në emisionin informativ “Breaking”, në Top News, u diskutua për zgjedhjet e 11 majit dhe shanset e partive të vogla për të fituar mandate. Të ftuar ishin Arlind Qori, nga Lëvizja Bashkë, dhe gazetari Ardit Rada në lidhje të drejtpërdrejtë.
Gjatë bisedës, Rada e pyeti Arlind Qorin për angazhimin e tij politik, duke theksuar se si ai është një pedagog i privilegjuar dhe punon nga mëngjesi deri në darkë në fushata, ndërkohë që Ministria e Arsimit nuk lejon përfshirjen e mësuesve në fushata elektorale .
“Pse Arlindi duhet të jetë një pedagog kaq i privilegjuar saqë angazhohet nga mëngjesi deri në darkë me fushatën ndërkohë që ka një memo nga Ministria e Arsimit që i ndëshkon dhe paralajmëron mësuesit për tu përfshirë në fushata elektorale apo për të kandiduar?” pyeti gazetari Ardit Rada.
“Unë jam i pezulluar nga detyra, nuk marr rrogë por ushtroj të drejtën time të jem kandidat për deputet. Kam denoncuar këto raste të plagjiaturës dhe korrupsionit, kam qenë i vetmi që e kam denoncuar, askush tjetër nuk ka bërë zë. Nuk pritet që nga një pedagog të ndryshohet gjithçka në strukturën e arsimit,” tha Qori. “Kam makinë por nuk e përdor, sepse trafiku, parkingu, unë kam zgjedhur autobusin dhe s’kam pse paguaj shumë dhe të kem tensionin e timonit” përfundoi Qori.
