Kryeministri Edi Rama e mbylli me humor fjalën e tij në Konferencën e NATO-s, ku foli për sfidat dhe bashkëpunimin në fushën e sigurisë kibernetike.

Rama theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes vendeve aleate për t’u mbrojtur ndaj sulmeve kibernetike, duke nënvizuar se askush nuk mund të përballet i vetëm me këto kërcënime.

“Kur bëhet fjalë për mbrojtje kibernetike, nuk është ide e mirë të qëndrosh më vete, por të bashkohesh me të tjerët për të ndërtuar një rrjet të gjerë mbrojtjeje. Shqipëria është ndër të parat që është bërë pjesë e këtij rrjeti, dhe inkurajoj të gjitha vendet e tjera që të ndjekin të njëjtin shembull — edhe pse ndoshta do t’u duhet të mësojnë përmes përvojës,” tha Rama.

Ai shtoi se njohja e “armikut” dhe e mjeteve që ai përdor është thelbësore për të parandaluar dëmet:

“Është shumë e rëndësishme ta njohësh armikun dhe instrumentet e tij, sepse vetëm kështu mund të marrësh masa efektive. Këtë nuk e bën dot vetëm, por në bashkëpunim me aleatët,” u shpreh kryeministri.

Rama kujtoi gjithashtu se gjatë ndihmës që Shqipëria ka marrë nga partnerët e NATO-s pas sulmeve kibernetike, edhe vetë aleatët kanë mësuar elemente të reja nga “fronti i armikut”.

Në fund të fjalës, ai nuk la pa bërë një batutë:

“Unë nuk jam gjeneral, as ekspert kibernetik. Jam i vetmi në qeverinë time pa doktoraturë. Faleminderit.”