Pak përpara se të hynte në ambientet e Dhomave të Specializuara në Hagë, Altin Krasniqi, djali i Jakup Krasniqit, ka folur për pritshmëritë e familjes në ditën e shpalljes së aktgjykimit ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së.
Ai shprehu besimin se procesi do të përfundojë me pafajësinë e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit dhe se të katërt do të kenë mundësi të rikthehen në Kosovë.
“Besoj se vendimi do të jetë lirues. Cilido që të jetë vendimi, unë jam krenar për secilin, për UÇK-në dhe për çdo gjë çka kanë bërë për neve”, deklaroi Krasniqi.
Përtej pritjes për vendimin e trupit gjykues, ai foli edhe për praninë dhe mbështetjen që ish-krerët e UÇK-së kanë marrë nga qytetarët.
Sipas Altin Krasniqit, solidariteti i treguar është i rëndësishëm jo vetëm për të akuzuarit, por edhe për familjet e tyre, të cilat prej vitesh po ndjekin procesin në Hagë.
“Për neve dhe për këta është një mbështetje e madhe që populli është me UÇK-në. Diçka çka dëshirojmë është që populli me ditë vlerën e UÇK-së”, u shpreh ai.
Altin Krasniqi theksoi se, pavarësisht përfundimit të procesit, qëndrimi i tij ndaj veprimtarisë së të atit dhe ish-drejtuesve të tjerë të UÇK-së mbetet i pandryshuar.
Deklarata e tij vjen në ditën kur në Hagë pritet të shpallet aktgjykimi i shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
