Dorian Puka, i dënuar dy herë për grabitje shtëpish dhe i dëbuar dy herë nga Britania, ka reaguar pas një artikulli të gazetarit Charles Hymas në “The Telegraph”.
Puka, i cili është rikthyer ilegalisht në Britani, kishte postuar një fotomontazh ku shfaqej me politikanin Nigel Farage, duke shkaktuar polemika.
Në një status në Instagram, Puka i është drejtuar Hymas-it me një gjuhë të drejtpërdrejtë dhe aspak etike, duke thënë: “A mendon se mua më bëhet vonë se çfarë ti shkruan për mua? Shkruaj prap. Mua nuk më bëhet vonë.”
Ai i kërkoi Hymas-it që t’i thoshte Farage-it të kërkonte një intervistë me të, duke shtuar se ata nuk janë në nivelin e tij. “Mbase kur ti do të shkosh në Westminster do të mendoj t’ju jap një shans,” përfundoi Puka.
Ky reagim vjen pas një serie shkrimesh në “The Telegraph” që kanë trajtuar historinë e tij dhe arsyet e rikthimit të tij në Britani.
