Fran Marashit, i dënuar me burgim të përjetshëm për ngjarjen e rëndë të 17 qershorit 1997 në Urën Vajgurore, ku mbetën të vrarë katër efektivë policie dhe u plagosën gjashtë të tjerë, ka dalë sot para Gjykatës së Posaçme të Apelit.
Gjatë fjalës së tij, Marashi kërkoi pafajësi, duke deklaruar se nuk ka lidhje me masakrën.
“I bëj thirrje organit hetues të thellohet në hetimin e kësaj ngjarjeje dhe të zbulojë autorët e vërtetë. Nuk kam gisht në këtë ngjarje”, u shpreh ai.
SPAK nga ana tjetër kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Shkallës së Parë, që e dënoi Marashin me burgim të përjetshëm. Avokatët e tij kërkuan alternativisht që, në rast se gjykata e shpall fajtor, të aplikohet gjykimi i shkurtuar. Në seancë ishin të pranishëm edhe familjarë të viktimave, të cilët debatuan me Marashin.
“Jam rritur jetim.”– ishin fjalët e një prej familjarëve që kërkoi vijimin e dënimit të Marahsit.
“Ti ke të drejtë të kërkosh drejtësi, por nuk kam gisht në ngjarje.”- ishte përgjigjia e autorit të dënuar.
Çështja po rigjykohet pas kthimit nga Gjykata e Lartë. Përveç Marashit, me burgim të përjetshëm janë dënuar edhe Musa Protoduari dhe Shkëlqim Protoduari, ndërsa disa persona të tjerë janë dënuar me 25 vite burg. Fran Marashi mbahet prej kohësh në regjimin e posaçëm 41-bis. Vendimi i Apelit pritet të shpallet më 26 shtator.