Mediumi britanik Daily Mail ka publikuar një artikull për shqiptarin 32-vjeçar Lorenc Hysa, i cili arriti t’i shpëtojë deportimit nga Britania e Madhe duke pretenduar se ishte viktimë e skllavërisë moderne.

Sipas gazetës, Hysa – një hajdut serial i kërkuar në dy vende evropiane – përdori procesin e gjatë ligjor për të fituar liri të përkohshme dhe gjatë asaj kohe kreu një seri vjedhjesh në qarkun Kent, duke shënjestruar argjendari dhe bizhuteri me vlerë. Rasti i tij, shkruan Daily Mail, është një shembull i abuzimit me ligjin britanik për “Skllavërinë Moderne”, që synon të mbrojë viktimat e trafikimit dhe shfrytëzimit, por shpesh përdoret për të penguar dëbimet e emigrantëve.

Një histori abuzimi me ligjin

Hysa, me origjinë nga Dibra, kishte jetuar më parë në Itali dhe Gjermani, ku ishte dënuar me 3 vjet e 3 muaj burg për vjedhje me thyerje. Ai u lirua në vitin 2020 pasi prokurorët gjermanë nuk e ndoqën më çështjen dhe u kthye në Shqipëri. Më vonë udhëtoi në Francë dhe më pas hyri ilegalisht në Britani në vitin 2023, duke përdorur një mbiemër të rremë – “Stefanaj” – për të shmangur identifikimin.

Pas arrestimit, Hysa pretendoi se ishte trafikuar dhe kërkoi azil politik duke u mbështetur në legjislacionin për skllavërinë moderne. Ndërkohë, ai u lirua me kusht dhe gjatë pritjes së vendimit kreu një sërë vjedhjesh në Longfield dhe Meopham. Pas arrestimit në prill 2024, ai u dënua në tetor nga Gjykata e Kurorës në Maidstone.

Refuzimi i kërkesës për “skllav modern”

Gjatë gjykimit, gjyqtari Smith theksoi se kërkesa e Hysës për statusin e viktimës së trafikimit ishte refuzuar, pasi hetimet nuk gjetën prova që ta mbështesnin. Ai shtoi se Britania duhet të garantojë respektimin e marrëveshjeve ndërkombëtare të ekstradimit dhe të mos shihet si një “strehë e sigurt” për ata që duan t’i shmangen drejtësisë.

Aktualisht, autoritetet britanike kanë pranuar urdhrin e arrestimit evropian lëshuar nga Gjermania, që e kërkon Hysën për 19 vjedhje të tjera të kryera mes viteve 2016–2017. Ai është në proces deportimi drejt Gjermanisë.

Ligji për Skllavërinë Moderne në qendër të debatit

Sipas Daily Mail, Sekretarja e Brendshme britanike Shabana Mahmood ka nisur një rishikim të ligjit për shkak të frikës se po abuzohet gjerësisht me të. Vetëm në vitin 2023, janë regjistruar 4,646 kërkesa nga migrantë që pretendonin se ishin skllevër modernë — një rritje prej 250% krahasuar me vitin 2020. Nga këto, 65% rezultuan të pabazuara.

Një ekspert shqiptar i krimit të organizuar tha për median britanike se rritja e këtyre kërkesave lidhet me përcaktimin e Shqipërisë si “vend i sigurt” për azil që nga viti 2023, gjë që ka shtyrë disa avokatë të këshillojnë klientët e tyre shqiptarë të përdorin ligjin e skllavërisë moderne për të shmangur deportimin.

Shembuj të tjerë

Artikulli përmend edhe rastin e Ujeza Kurmekajt, një shqiptareje që pretendoi të ishte viktimë e trafikimit, ndërsa në të njëjtën kohë punonte si ndërmjetëse për bandat e kontrabandës që kalonin migrantë nëpër Kanalin e La Manshit. Ajo u dënua me gjashtë vjet burg dhe pritet të deportohet pas përfundimit të dënimit.

Reagimi i autoriteteve britanike

Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme britanike deklaroi se qeveria është e vendosur të deportojë të gjithë të huajt që kryejnë krime të rënda, duke theksuar se vetëm vitin e kaluar janë dëbuar 5,200 kriminelë të huaj, 14% më shumë se një vit më parë.