Një student 20-vjeçar i Fakultetit të Mjekësisë ka reaguar publikisht ndaj kryeministrit Edi Rama, pasi ky i fundit shpërndau fotografinë e një të riu me inicialet J.S., duke e lidhur me precedentë të dyshuar për vepra penale në fushën e narkotikëve.
Bëhet fjalë për Joni Sinoymerin, i cili iu bashkua këtë të premte protestës para Kryeministrisë dhe deklaroi për mediat se ishte pikërisht personi i shfaqur në postimin e kreut të qeverisë.
Fillimisht, i riu u paraqit përpara kamerave me një maskë kirurgjikale, të cilën më pas e hoqi, duke treguar fytyrën dhe duke konfirmuar identitetin e tij.
Duke kundërshtuar mbishkrimin “Student? Jo!” të përdorur nga kryeministri, Sinoymeri deklaroi se ndjek studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tiranës dhe pretendoi se ka rezultate maksimale në mësime.
“Jam një nga të arrestuarit, jam student i Fakultetit të Mjekësisë. Nuk e di çfarë legjendash shpik ky. Meqë më ka quajtur organizata Antifa, dua të tregoj notat, me mesatare 10.00”, u shpreh ai.
Studenti foli edhe për shoqërimin e tij në polici gjatë së martës së kaluar. Sipas dëshmisë së tij, ai qëndroi në ambientet e komisariatit për rreth shtatë orë e gjysmë, përpara se të lihej i lirë.
I pyetur nëse do të ndërmarrë hapa ligjorë për publikimin e fotografisë dhe pretendimeve ndaj tij, 20-vjeçari nuk dha një përgjigje përfundimtare, duke shprehur mosbesim ndaj institucioneve.
“Nuk e di a do ta denoncoj, se nuk kam kohë për denoncime të kota. Nuk kam besim te asgjë. Te kush ta denoncoj?”, deklaroi Sinoymeri.
Reagimi i tij vjen në një kohë kur protestat para Kryeministrisë janë shoqëruar me debate të forta mes qeverisë dhe pjesëmarrësve në tubime, ndërsa identiteti dhe përfshirja e disa protestuesve janë kthyer në objekt përplasjesh publike.
