Detaje të reja vijojnë të dalin nga e-maili kërcënues që iu dërguar këtë të premte institucioneve shqiptare. Bëhet me dije se emaili me mesazhin kërcënues është dërguar nga Kolumbia. Sipas autoriteteve, emaili është dërguar nga Unitropico, Universiteti Ndërkombëtar i Tropikut Amerikan, një universitet publik në Yopal.

Gjithashtu dyshohet se adresa nga është dërguar emaili dyshohet të jetë e hakeruar. Pas kërcënimit, policia nisi verifikim dhe tha se nuk është konstatuar asnjë rast me lëndë plasëse në institucionet në fjalë.

“Në adresat elektronike zyrtare të disa institucioneve shtetërore është dërguar një mesazh kërcënues, në të cilin pretendohet për vendosjen e lënde shpërthyese në ambientet e tyre. Policia e Shtetit ka nisur menjëherë verifikimet. Deri tani, nuk është evidentuar asnjë rast i vendosjes së lëndëve shpërthyese. Nën drejtimin e Prokurorisë, strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit vijojnë punën për identifikimin e burimit të mesazhit,” thuhet në njoftimin e Policisë.

Në emailin e dërguar në 150 adresa të institucioneve, autori prezantohej si udhëheqës i milicisë serbe dhe përdori gjuhë kërcënuese ndaj institucioneve që kanë marrë komunikimet. Emaili përmban edhe kërcënime të drejtpërdrejta për vrasje ku shkruhet se shqiptarët do të mbeten vetëm copa mishi. Po ashtu në mesazh theksohet se shqiptarët do vriten derisa ta njohin Kosovën si territor të Serbisë.

“Përshëndetje. Jam udhëheqësi i Milicisë Serbe. Kemi ardhur të hakmerremi ndaj jush. Sapo kam vendosur personalisht një mjet shpërthyes në ndërtesën tuaj. Shpërthimi do të ndodhë pas një ore. Nga ju do të mbeten vetëm copa mishi. Do të vrasim shqiptarë derisa ta njihni Kosovën si territor të Serbisë. FAT TË MBARË”, thuhet në email.