Kryeministri Edi Rama ka bërë një thirrje urgjente për të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, duke i ftuar të dorëzojnë sa më shpejt zarfet e votimit pranë pikave të DHL-së, për të përmbushur një proces që ai e konsideron “historik”.

Në një mesazh të publikuar këtë mëngjes, Rama tha se është i kënaqur me pjesëmarrjen e lartë në votimin e diasporës, por paralajmëroi se mijëra zarfe mbeten ende të padorëzuaranjë shqetësim serioz, veçanërisht në Greqi, ku sipas tij ka pasur konfuzion për shkak të kompanisë shpërndarëse.

“Mos prisni t’ju marrin zarfin, çojeni vetë në pikën më të afërt të DHL-së”, apeloi ai, duke theksuar se afati për dorëzim përfundon të premten. Rama e cilësoi këtë proces si “një hap drejt pasaportës europiane për të gjithë shqiptarët” dhe “një status të ri në botë si qytetarë të barabartë të Europës”.

Ai e mbylli thirrjen me një nxitje të fortë:
“Forca, forca, forca për Shqipërinë në BE!”

“Jam duke u nisur ne Fushë-Krujë, por ndërkohë po shikoj të dhënat e zarfeve të dorëzuar në KQZ. Jemi në një situatë ku është vërtetë inkurajuese pjesëmarrja e lartë në krahasim më një sërë vendesh të tjera.

Por si hera e parë duhet të jetë shumë më e lartë besoj unë. Dhe kështu do ju thosha shqiptarëve të Italisë që janë në krye më 74%, forca se janë edhe 21 mijë zarfa pa u dorëzuar. Do iu thoja shqiptarëve të Greqisë, që janë më mbrapa të gjithëve, jo për fajin e tyre, por nga konfuzioni që shkaktoi kompania që shpërndan zarfet.

Forca, forca, forca se janë dhe 36 mijë zarfe të pa dorëzuar, por ka akoma kohë dhe mos pritni që të vijnë t’ia u marrin zarfet, por çojini në pikën përkatëse të DHL-së.

Nga Gjermani 72%, por janë ende 7 mijë të pa dorëzuar. Amerika shumë mbresëlënëse, 70%, por janë ende 5500 të pa dorëzuar. Britania pak më e ulët me 59%, më 7 mijë të pa dorëzuara dhe të tjerat në total kanë një shifër 88%. Rezultojnë të jenë 15 mijë të dorëzuar nga 17 mijë të shpërndara, por janë edhe 1300 e ca që janë në duar e njerëzve ende.

Ndaj ju lutem të ecim sa më shpejt, sepse është një mundësi historike dhe do të ishte vërtetë gjynah që pasi keni bërë mundimin për regjistrim, të mos bënë mundimin për dorëzimin.

Deri tani jemi në 65%, fluksi vazhdon të jetë i lartë, por ditët po shkurtohen. Deri të premten gjithçka duhet të jetë përfunduar, kështu që forca, forca, forca për Shqipërinë në BE dhe pasaportën europiane të të gjithë shqiptarëve, por kryesisht për statusin e ri të shqiptarëve në botë, duke qenë status i barabartë me qytetarët europianë”, shprehet Rama.