Policia e Shtetit ka identifikuar 52 persona që dyshohet se janë përfshirë në episode dhune gjatë protestave të zhvilluara gjatë javëve të fundit në vend. Lajmi u bë i ditur nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, i cili konfirmoi se materialet për personat e identifikuar i janë përcjellë Prokurorisë.
Sipas Hitës, identifikimi i tyre është bërë edhe pse disa prej personave kanë tentuar të fshehin identitetin. Ndërkohë, strukturat e hetimit po vijojnë punën për dokumentimin e plotë të akteve të dhunshme dhe zbulimin e personave të tjerë të përfshirë në to.
Gjatë deklaratës, kreu i Policisë iu drejtua edhe prindërve, duke u kërkuar të mos lejojnë përfshirjen e fëmijëve të mitur në protesta ku mund të ketë përplasje dhe akte dhune. Ai apeloi gjithashtu për qytetarët që të distancohen nga çdo formë dhune.
Hita theksoi se Policia do të vijojë të garantojë të drejtën e protestës paqësore dhe ligjore, ndërsa ndaj personave që cenojnë rendin, pronën publike apo private do të zbatohet parimi i proporcionalitetit.
Në përfundim, ai vlerësoi edhe rolin e medias gjatë protestave, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe koordinimit mes forcave të policisë dhe gazetarëve, operatorëve e fotoreporterëve në terren, me qëllim garantimin e sigurisë së të gjithë personave të pranishëm.
