Qindra shqiptarë raportohet e kanë rënë pre e një skemë piramidale të tipit “Ponzi” me platformën e investimeve në bursa “XUEX”.

Qytetarët duhet që të investonin të paktën 1 mijë euro, në mënyrë që mund të futeshin në investim. Pas kësaj ata duhet që të sillnin të paktën 5 persona të tjerë në këtë sistem, në mënyrë që të rrisnin përfitimet e tyre. Skema u godit sot nga policia, duke bërë që 6 persona të arrestohen, teksa 2 u shpallen në kërkim.

Çfarë është skema Ponzi?

Skema Ponzi është një nga mashtrimet më të njohura financiare, e cila ndër vite ka prekur miliona njerëz në mbarë botën. Në thelb, ajo funksionon mbi një parim shumë të thjeshtë: paratë e investitorëve të rinj përdoren për të paguar fitimet e investitorëve të hershëm, duke krijuar iluzionin e një biznesi të suksesshëm. Në fakt, pas saj nuk ekziston asnjë aktivitet i vërtetë ekonomik, por vetëm një rrotullim i vazhdueshëm i parave mes pjesëmarrësve.

Mekanizmi i funksionimit është i ngjashëm në të gjitha rastet: mashtruesi premton kthime të larta dhe të sigurta, shpesh më të mëdha se çdo investim normal në treg. Investitorët e parë marrin pagesa që duken si fitime, por në fakt financohen nga ata që futen më vonë. Këta të fundit, duke parë “suksesin” e të parëve, ndihen të inkurajuar dhe shpesh ftojnë edhe të afërm apo miq të bëhen pjesë e skemës. Kjo vazhdon derisa nuk ka më mjaft investitorë të rinj që të mbajnë në këmbë sistemin. Në atë moment, skema bie dhe shumica e pjesëmarrësve humbin gjithçka.

Ekspertët theksojnë se çdo ofertë që premton fitime të mëdha dhe të garantuara duhet parë me shumë dyshim. Në botën reale të financave, investimet mbartin gjithmonë risk, dhe askush nuk mund të ofrojë përfitime të larta pa asnjë rrezik. Skemat Ponzi shfrytëzojnë pikërisht dëshirën e njerëzve për t’u pasuruar shpejt dhe shpesh prekin shtresa të gjera të shoqërisë, duke shkaktuar pasoja jo vetëm individuale, por edhe në ekonomi.

Historia ka treguar se skemat Ponzi kanë marrë përmasa gjigante në raste të ndryshme. Rasti më i njohur i kohëve të fundit është ai i Bernard Madoff në SHBA, i cili arriti të mashtrojë investitorë për shuma që kalonin 65 miliardë dollarë, duke u konsideruar mashtrimi më i madh financiar në histori.

Kush e ka krijuar këtë skemë?

Emri i kësaj skeme lidhet me Charles Ponzi, një emigrant italian në Shtetet e Bashkuara, i cili në fillim të viteve 1920 u bë i famshëm pasi arriti të mashtrojë mijëra persona. Ai u premtoi investitorëve fitime të mëdha nga tregtia e pullave postare, por në realitet pagesat e para që bëri ndaj tyre nuk vinin nga ndonjë aktivitet tregtar, por nga paratë e atyre që sapo kishin hyrë në skemë. Fillimisht, gjithçka dukej e besueshme dhe shumëkush mendoi se kishte gjetur një mundësi të artë për t’u pasuruar shpejt. Por, si çdo skemë Ponzi, edhe kjo u shemb brenda pak kohësh, duke i lënë pjesën më të madhe të investitorëve pa kursimet e tyre.