Ish-kryeministri Sali Berisha i ka kërkuar Prokurorisë së Posaçme që të hetojë lidhjet e Safet Gjicit me Taulant Ballën.

Duke komentuar video-skandalin e ish-kryebashkiakut, Berisha tha se duhet një hetim i plotë për të gjitha procedurat e tenderimit që gjici ka kryer teksa ishte në krye të bashkisë Kukës. 

Ai shtoi se nuk ka një emër se kë do kandidojë për kreun e Bashkisë së Kukësit, pas shkarkimit të Safet Gjicit.

“Nuk kam kandidat për bashkinë e Kukësit, sapo të shpallet do e lajmëroj. I bëj thirrje SPAK të marrë çdo komunikim të Ballës gjatë viteve të fundit me Gjicin e Edi Ramës, i bëj thirrje të marrë në GPS të gjitha takimet dhe spostimet e tyre, i bëj thirrje të hetojë çdo tender të fituar nga Gjici në 100 milionë euro, sepse flitet këta qenkan të lidhur si mishi me thoin, Taulanti me Gjicin, dikush thotë në bixhoz, dikush thotë në afera të tjera. I ftoj të bëjnë një hetim të plotë që të kuptojnë si ranë nga qielli 100 mln euro tek përfaqësuesi dinjitoz i Ramës, Gjici”, deklaroi Sali Berisha.