Deklarata e kryeministrit Edi Rama se është i gatshëm të japë dorëheqjen dhe të largohet në “katund”, nëse qytetarët zgjedhin dikë tjetër për ta drejtuar vendin, ka sjellë reagime ironike nga protestuesit e mbledhur përpara Kryeministrisë kundër projektit në Zvërnec.

Gjatë protestës, një prej qytetarëve mori fjalën dhe tha se para çdo dorëheqjeje, Rama duhet të anulojë projektin e kundërshtuar në Zvërnec dhe të japë llogari para drejtësisë.

“Ai tha që jam gati të jap dorëheqje dhe të shkoj në katund. Por fillimisht të anulojë projektin. Të japë llogari para drejtësisë dhe pastaj të shkojë ku të dojë”, u shpreh protestuesi.

Në fjalën e tij, ai citoi edhe poetin Ali Asllani, duke thënë: “Koha është e maskarenjve, por Shqipëria është e shqiptarëve”.

Deklarata u prit me duartrokitje dhe brohoritje nga pjesëmarrësit në protestë, e cila po vijon përpara Kryeministrisë me kërkesa për ndalimin e projektit turistik në Zvërnec dhe më shumë transparencë nga institucionet shtetërore.