Zgjedhjet e 11 majit lanë jashtë përbërjes së Parlamentit të ri shumë emra të njohur, për shkak se disa nuk arritën të grumbullonin votat e nevojshme për të fituar një mandat deputeti.

Por nga ana tjetër, 8 kandidatë burra nuk mundën të fitonin një biletë për të hyrë në Kuvend në shtator, edhe pse kishin vota më shumë se rivalët e tyre në listën e hapur. Kjo për shkak se u mundën nga kandidate gra, por jo me votë, por me kuotë gjinore.

Kodi zgjedhor parashikon se në çdo tre emra fitues, një duhet të jetë grua, edhe nëse ajo ka më pak vota se sa burrat në garë. Po të mos ishte ky korrigjim i kuotës gjinore, Xhemal Qefalia me 9950 vota, do të ishte në parlament. Ai ka vota më shumë se sa Anila Denaj dhe Olta Xhaçka që kanë fituar mandate.

Edhe Pandeli Majko me 6736 vota e Toni Gogu 6680, janë “viktima” të kuotës gjinore dhe nuk do të jenë në parlamentin e ri. Kështu, Olta Xhaçka me 6288 vota, më pak se sa Qefalia, Majko e Gogu, do të hyjë në Kuvend për shkak të gjinisë.

Por ky fenomen nuk është i kufizuar vetëm në qarkun Tiranë. Në Berat, Julian Zyla dhe Erdis Hyka kanë marrë qindra vota më shumë se sa Hatixhe Konomi, por mundësia e tyre për të fituar një mandat, është djegur. Edhe në qarkun Durrës, dy burra janë penalizuar prej gjinisë. Ilir Ndraxhi ka dyfishin e votave të Etleva Budinit, por zonja rezulton fituese. Bashkë me Ndraxhin janë djegur dhe afro 6000 votat e Gentian Hillës. Po të mos ishte kuota gjinore, deputeti i 6-të i Korçës do të ishte Arian Jaupllari dhe jo Besa Spaho.

Avantazhi i grave për shkak të gjinisë, është ndjerë mes zonjave socialiste, pasi demokratët fituan pak mandate dhe në asnjë qark nuk morën 3 mandate përtej listës së mbyllur që të aktivizohej mekanizmi i kuotës gjinore.