Ka nisur në Kuvend seanca e radhës plenare, teksa para Parlamentit janë mbledhur protestuesit që kërkojnë largimin e Qeverisë dhe gjithë klasës politike aktuale.
Deputetët e Partisë Demokratike nuk janë paraqitur në seancë. Edhe disa prej deputetëve demokratë që shkuan në Kuvend, u kthyen sërish në selinë e PD-së.
Vetë Partia Demokratike ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në seancën e sotme plenare, përsa kohë sipas tyre mazhoranca refuzon të përfshijë në rendin e ditës 4 projektligje të propozuara prej tyre.
“Për sa kohë mazhoranca refuzon të përfshijë këto projektligje në rendin e ditës ose të përcaktojë shqyrtimin e tyre brenda këtij sesioni parlamentar, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka vendosur të mos marr pjesë në punimet e Kuvendit në seancën e sotme dhe kërkojmë me forcë përfshirjen në procedurë parlamemtare të katër projektligjeve për diskutim dhe miratim në Kuvend”, thuhej në deklaratën zyrtare të PD-së.
