Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, tha se një zgjidhje e negociuar midis Rusisë dhe Ukrainës nuk ka gjasa të kënaqë asnjërën pale dhe se çdo marrëveshje paqeje ka të ngjarë t’i lërë si Moskën ashtu edhe Kievin, të pakënaqur. Ai tha se SHBA-të synojnë një zgjidhje që të dyja vendet mund ta pranojnë.

“Nuk do ta bëjë askënd shumë të lumtur. Si rusët ashtu edhe ukrainasit, ndoshta, në fund të fundit, do të jenë të pakënaqur me të”, tha ai.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha të premten se do të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin më 15 gusht në Alaska për të negociuar përfundimin e luftës në Ukrainë. Trump tha se Rusia dhe Ukraina ishin pranë një marrëveshjeje armëpushimi që mund t’i jepte fund konfliktit tre vjeçar e gjysmë, duke kërkuar që Ukraina të dorëzonte territor të konsiderueshëm.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy, megjithatë, tha të shtunën se Ukraina nuk mund ta shkelë kushtetutën e saj për çështjet territoriale, duke shtuar, Ukrainasit nuk do t’ua dhurojnë tokën e tyre pushtuesve. Në intervistën për Fox News të regjistruar të premten, Vance tha se Shtetet e Bashkuara po punonin për të caktuar bisedime midis Putinit, Zelenskiy dhe Trump, por ai nuk mendonte se do të ishte produktive që Putini të takohej me Zelenskiy përpara se të fliste me Trump.

“Jemi në një pikë ku po përpiqemi të përcaktojmë, sinqerisht, orarin dhe gjëra të tilla, se kur këta tre udhëheqës mund të ulen dhe të diskutojnë për t’i dhënë fund këtij konflikti”, tha ai.