Protesta e zhvilluar sot me incidente para Parlamentit ka sjellë debate të forta edhe në studion e “Top Story” me Grida Dumën. Diskutimi u fokusua te përbërja e protestës, roli i partive politike, si dhe te ndarja mes akteve të dhunshme dhe pjesëmarrjes së qytetarëve që kërkojnë ndryshim. Deputeti i PS, Ardit Bido, e etiketon protestën dhe incidentet para Kuvendit si të iniciuar nga partitë e vogla. Kjo hasi në diskutime dhe kundërshti nga analisti Arion Sulo dhe drejtori i informacionit në Top Channel, Robert Rakipllari.
Bido: Ti nuk ke përmendur asnjëherë fiset Balliu dhe Moçka.
Sulo: Unë, po gënjen dhe spekulon. Kam përmendur këto emra, Shehajt dhe të tjerë.
Bido: Nuk mund të vendosim në një thes një protestë të partive të vogla të dhunshme me atë kreativitetin e të rinjve.
Rakipllari: Po ti për ata në bulevard the se ata janë agjentë të Iranit.
Bido: Ka pasur këto grupimet si të Iranit dhe të rinj kreativë, që kanë zbritur të protestojnë.
Rakipllari: Nuk mendon ti se atje ka një grup të madh që janë të pakënaqur me të gjithë ju, me këtë sistem? Kundër teatrit që thoni ju në parlament dhe që ju jeni pjesë?
Bido: Unë nuk jam pjesë e teatrit.
Rakipllari: Je pjesë qendrore e teatrit. Ke marrë një rol, të është dhënë dhe po e luan. Nuk keni një histori pushteti, nuk ke qenë ministër dhe për këtë shkak ke marrë një rol. Je pjesë e teatrit dhe nuk ka diskutim. Ti e ke marrë vetë këtë protagonizëm dhe nuk ta ka dhënë njeri nga PS?
Bido: Absolutisht. Ky grupim njerëzish që kanë dalë, është përgjegjësi e PS dhe elitës politike që të thithi të gjitha ato çka kërkon të përmirësojë kjo protestë. Për ata të dhunshmit atje kam zero interes se janë e keqja e kësaj fryme politike.
Sulo: Të merresh me ato pesë gurët e protestës është si të mbulosh Diellin me shoshë. Gjatë protestave gjithë Tirana ishte në shesh. Edhe në dritare e ballkone. Ku ishit ju politikisht?
