Dhjetëra protestues janë mbledhur para ambienteve të Gjykatës Penale, duke kërkuar lirimin e personave të arrestuar pas protestës së zhvilluar pak ditë më parë.
Me thirrjet “Jemi me ju”, protestuesit kanë shprehur mbështetjen për personat që ndodhen nën masa sigurie, ndërsa kanë kërkuar gjithashtu ndëshkimin dhe arrestimin e funksionarëve të lartë.
Në lidhje me protestën e fundit, 14 persona janë arrestuar, ndërsa tre të tjerë po hetohen në gjendje të lirë.
Protesta u zhvillua tre ditë më parë, kur qytetarët tentuan t’i afroheshin dhe të rrethonin godinën e Kryeministrisë, pasi mësuan se kryeministri Edi Rama ndodhej brenda saj.
Policia vendosi një kordon sigurie përpara Kryeministrisë për të penguar protestuesit që të depërtonin drejt godinës. Situata u përshkallëzua më tej, duke sjellë përplasje mes protestuesve dhe efektivëve të policisë.
Ndërkohë, sot pritet të shqyrtohen nga gjykata masat e sigurisë për personat e arrestuar.
