Hakerat e grupit “Homeland Justice” publikuan sot disa të dhëna të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullakut si dhe zëvendësdrejtorit të Shërbimit Informativ Shtetëror, Oljan Kanushit.

Ndër të dhënat personale, hakerat kanë publikuar dhe listën e pretenduar të udhëtimeve të secilit prej tyre, 4 prej të cilave Rrumbullaku rezulton t’i ketë kryer me çarter në Antalia.

Në kanalin e tyre në Telegram, hakerat kanë publikuar edhe një mesazh.

“Ne jemi më afër jush sesa shpirtrat tuaj. Në vend që të zëvendësoni zyrtarët e institucioneve të korruptuara qeveritare, mendoni për reformimin e strukturës korruptive. Çdo lëvizje dhe intervistë e drejtuesve të MEK në Shqipëri dhe vende të tjera do të ketë një çmim të rëndë për popullin shqiptar” – thuhet në mesazhin e hakerave të Homeland Justice.

Në dosjen me 7 faqe të publikuar nga grupi i hakerave “Homeland Justice” shihen të gjitha pasaportat e ndërruara nga Rrumbullaku si dhe të dhënat e anëtarëve të familjes së tij.

Në të dhënat janë të gjitha hyrje-daljet e nr 1 të policosë së Shtetit te regjistruara në sistemin TIMS si dhe fotot e tij ndër vite. Ndërkohë hakerat kanë publikuar të dhënat personale, pasaportat e tij ndër vite si edhe patenta. Gjithashtu të njëjtat publikime janë bërë edhe për zv drejtorin e SHISH. Nuk dihet nese hakerat kanë depërtuar në Email-et e Rrumbullakut dhe Kanushit, por kjo do te shihet ne ditët në vijim.