Një shtetas francez ka përfunduar në burg me vendim të Gjykatës së Sarandës, pasi dyshohet se ishte pjesë e një skeme mashtrimi kompjuterik që synonte qytetarët shqiptarë përmes mesazheve të rreme online.
Gjykata vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për shtetasin me inicialet Z.K., i akuzuar për veprën penale të “mashtrimit kompjuterik”.
Sipas hetimeve paraprake, i dyshuari dyshohet se ka bashkëpunuar me persona të tjerë për të siguruar të dhëna bankare të qytetarëve, duke përdorur metoda mashtruese në internet.
Nga hetimet rezulton se skema realizohej përmes kartave SIM të regjistruara me identitete false dhe shpërndarjes masive të SMS-ve që imitonin njoftime zyrtare të Postës Shqiptare.
Në mesazhet mashtruese, qytetarëve u kërkohej të kryenin një pagesë të vogël për tarifë doganore, ndërsa përfshihej edhe një link i dyshimtë për konfirmimin e dorëzimit të pakos.
Autoritetet po vijojnë hetimet për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal dhe për të zbuluar numrin e qytetarëve që mund të jenë dëmtuar nga kjo skemë.
