Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, po mban fjalën e tij në protestën e shtatë kombëtare të thirrur nga opozita. Ai thekson se Partia Demokratike është zgjedhja më e mirë në këtë moment për vendin, teksa vlerëson aksionin e protestave të deritanishme.
“Të dashur qytetarë dhe qytetare, demokratë, deputetë dhe aleatë të PD, opozitarë në këtë shesh dhe kudo që ndodheni, misionarë të pamposhtur të Shqipërisë. Ngrihemi këtu jo thjesht si opozitë kundër diktaturës autokratike, jo vetëm si një alternativë e shkëlqyer politike.
Mblidhemi këtu si shpresë e vetme për shpëtimin e Shqipërisë nga narkoshteti i Edi Ramës, i bazuar te droga dhe vjedhja e shqiptarëve. Që ne jemi shpresa e vetme për Shqipërinë, është më e qartë se kurrë. Ky është seriali më gjigant i protestave që ka njohur Shqipëria.
Dhjetëra mijëra shqiptarë u përballën nëpër sheshe si të pamposhtur dhëmb për dhëmb me regjimin, me gazin lotsjellës, shkopinjtë dhe tymin dhe fituan. Që ne jemi shpresa e vetme u bë e ditur të nesërmen e protestës së kaluar”, u shpreh Berisha.
