Rrjeti SafeJournalists ka shprehur shqetësim lidhur me deklaratat publike të bëra nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në lidhje me transmetuesin publik RTSH. Në një deklaratë “SafeJournalists” paralajmëron se lidhja e financimit ose e vetë ekzistencës së RTSH-së me miratimin politik minon pavarësinë e saj dhe paraqet rreziqe për lirinë e medias.

“Mediat e shërbimit publik duhet të vlerësohen përmes reformave transparente dhe të bazuara ligjërisht, dhe jo përmes retorikës politike, veçanërisht në kontekstin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, ku liria e medias dhe pavarësia institucionale janë standarde kyçe”– thuhet më tej në deklaratë.

Kësaj deklarate i është përgjigjur në X kreu i qeverisë Edi Rama, i cili shprehet se kjo deklaratë është keqorientuese dhe se i janë shtrembëruar fjalët.

Sipas Ramës vërejtjet e tij nuk kanë të bëjnë me “lidhjen e financimit apo të ekzistencës së RTSH-së me miratimin politik”.

“Po bëhet një model për të ardhur keq i kësaj epoke të re të përtacisë së shfrenuar ndaj dëgjimit të asaj që të tjerët realisht thonë, që të përballemi me deklarata si ajo e bashkëngjitura, të cilat pasqyrojnë një keqkuptim thellësisht të shtrembëruar të qëndrimit tim lidhur me Transmetuesin Publik Shqiptar.

I ftoj autorët e kësaj deklarate keqorientuese ta lexojnë ose ta dëgjojnë me kujdes fjalimin tim dhe të bëjnë një përpjekje të sinqertë për të kuptuar thelbin. Vërejtjet e mia nuk kanë të bëjnë absolutisht aspak me ‘lidhjen e financimit apo të ekzistencës së RTSH-së me miratimin politik’. Çdo interpretim i tillë është thjesht i pasaktë dhe keqorientues. Mbrojtja e informacionit nis me mos përhapjen e dezinformimit”, shprehet Rama.