Disa institucione te vendit kanë marrë email-e kërcënuese, përmes të cilave pretendohet se është vendosur një mjet shpërthyes dhe paralajmërohet hakmarrje ndaj tyre.

Siç raporton gazetarja e Top Channel, Dorjana Bezat, në mesazhet e dërguara, autori prezantohet si “udhëheqës i ushtrisë serbe” dhe përdor gjuhë kërcënuese ndaj institucioneve që kanë marrë komunikimet. E-maili është dërguar edhe në bashki të tjera të vendit.

“Përshëndetje. Jam udhëheqësi i Milicisë Serbe. Kemi ardhur të hakmerremi ndaj jush.

Sapo kam vendosur personalisht një mjet shpërthyes në ndërtesën tuaj. Shpërthimi do të ndodhë pas një ore. Nga ju do të mbeten vetëm copa mishi. Do të vrasim shqiptarë derisa ta njihni Kosovën si territor të Serbisë. FAT TË MBARË”, thuhet në përmbajtjen e e-mailit.

Ndërkohë mësohet se në disa institucione, personeli ka dalë jashtë. Nga ana tjetër, policia ka nisur punën për identifikimin e personit që qëndron pas dërgimit të e-mailit.

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, raporton se policia ka mbërritur te mbledhja e Prokurorëve pas alarmit për bombë nëpërmjet e-mailit.

Gjithashtu ka nisur hetimi për të zbardhur rrethanat e plota të kërcënimit dhe për të verifikuar përmbajtjen e mesazhit.