I ftuar në emisionin Breaking në Top News për të folur mbi zhvillimet e fundit politike në vend ishte në lidhje të drejtpërdrejtë analisti Genc Burimi dhe gazetari Poli Hoxha.
Gjatë zhvillimit të diskutimit u hap në “debat” mes moderatores dhe analistit ku ky i fundit i quajti “të blerë”. Analisti ka akuzuar se shteti shqiptar është në këtë gjendje për shkak se populli nuk reagon dhe jo çdo gjë duhet pritur nga opozita. Në këtë moment moderatorja Fiori Dardha i kthehet analistit se duke akuzuar ata si të blerë ai po vret edhe ata që mundohen me të vërtetë të bëjnë një vend të mirë.
Burimi: Para se të merrja pjesë në emision, kontrollova emisionet në Shqipëri sepse unë nuk jetoj atje për të krijuar një ide. Dhe pashë që kishte një artikull nga një media, ku thuhej që Tirana nuk ka ujë. Ka vetëm 30 minuta ujë në ditë. Edhe ambasadave ua ndërpresin ujin! Ju nuk keni ujë, ore, nuk keni ujë! Si në emisionet ku gërmojnë për puse… dhe ju më thoni “opozita, opozita”! Ju s’keni ujë, ore!
Moderatorja: Jemi i vetmi vend që nuk kemi një minimum jetik.
Burimi: Ore, ju nuk keni popull! S’keni popull, ore! Rruaza të kuqe… Pse rinia e Tunizisë dhe e Serbisë çfarë priti? Opozitën? Jo! Janë ngritur vetë! Ju jeni mercenarë dhe ja vini fajin Berishës!
Moderatorja: Ndoshta je në një pozicion më të favorshëm aty ku je.
Burimi: Ju jeni të gjithë të blerë, ore! Të gjithë të blerë!
Moderatorja: Këtë s’mund ta thuash. Jo, kur ti thua “jeni të blerë”, vret edhe atë që përpiqet me mish e me shpirt ta bëjë këtë vend. Dhe plaga më e madhe është që këtë e përjeton shtresa e mesme.
Burimi: T’ju vijë turp! Është viti 2025!
Moderatorja: Po pra, të na vijë turp! Sepse e solli opozita. Dhe atëherë thonin “uji i rubinetit është i pijshëm”. Dalim në protestë me dy gishta: liri, demokraci…