Një incident është regjistruar pas përfundimit të një aktiviteti të Partisë Socialiste në Vlorë, ku një e re ka ndërprerë turmën me thirrje kundër kryeministrit Edi Rama.
Sipas pamjeve të publikuara nga vendngjarja, vajza ka bërtitur “Largohu, jep dorëheqjen”, duke tërhequr vëmendjen e personave të pranishëm në aktivitet.
Menjëherë pas thirrjeve të saj, një person që, sipas dëshmitarëve, dyshohet të jetë pjesë e strukturave të sigurisë që shoqëronin aktivitetin, është afruar drejt saj.
Në video shihet momenti kur ai i afrohet protestueses dhe tenton ta largojë nga zona, ndërsa në pamje duket edhe një kontakt fizik mes tyre gjatë përpjekjes për të ndalur thirrjet.
Ngjarja ka shkaktuar reagime në rrjetet sociale, ndërsa deri më tani nuk ka pasur një reagim zyrtar lidhur me incidentin.
