Moti i keq me reshje të dendura shiu dhe erë të fortë pritet të përfshijë edhe Qarkun e Lezhës, duke nisur nga mesnata e së hënës. Sipas parashikimeve meteorologjike, situata mund të sjellë probleme në disa zona të ulëta, ndaj strukturat e Mbrojtjes Civile në të tre bashkitë e qarkut janë vënë në gatishmëri të plotë.
Strukturat po monitorojnë veçanërisht funksionimin e hidrovoreve, si dhe furnizimin me energji elektrike të popullatës, ndërsa ekipet në terren janë gati të ndërhyjnë në rast nevoje.
“Jemi njoftuar se qarku jonë do të përfshihet me reshje të dendura shiu, shoqëruar me erëra të forta. Të shtatë hidrovoret në të gjithë qarkun janë në gatishmëri të plotë. Jemi në gatishmëri të plotë non stop. Kemi edhe një numër kontakti për çdo gjë apo nëse kemi ndonjë përkeqësim të situatës”, tha Nikoll Tushi, përgjegjës i Mbrojtjes Civile
Zonat më të rrezikuara nga përmbytjet mbeten Zadrima dhe Bregu i Matës në Bashkinë Lezhë, si dhe Fushë-Kuqja në Bashkinë Kurbin. Autoritetet u bëjnë apel qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të ndjekin njoftimet zyrtare për situatën që mund të krijohet.


