Një 21-vjeçar është shpallur në kërkim nga policia e Sarandës, pasi dyshohet se ka kanosur me armë të ftohtë familjarët e ish-kandidates për deputete të Partisë Demokratike, Matilda Qurku.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr. 4 të Sarandës, pranë restorantit në pronësi të familjes së Qurkut. Mariglen Bajrami, 21 vjeç, është konfliktuar verbalisht me familjarë të Qurkut dhe më pas, i është afruar babait të saj, duke mbajtur të fshehur nga pas një thikë. Ngjarja është filmuar dhe i është përcjellë policisë, e cila ka shpallur në kërkim të riun.

Vetë Qurku në një reagim në Facebook ka shkruar:

“Një nga netët më të vështira të jetës sime si nënë. Një person i dhunshëm, pa asnjë arsye, u shfaq me thikë në dorë para lokalit tim. U afrua makinës ku ishin fëmijët e mi (2 dhe 10 vjeç), dy nipërit dhe bashkëshorti.

Kur nipi pa armën, i thotë:

“Jepi gaz se ka armë!”

Elidoni largohet për të shpëtuar fëmijët, por më telefonon menjëherë:

“Dil ndihmo Donin, po i afrohen me armë!”

Babai im ishte shumë pranë agresorit. Dal pa menduar dy herë dhe i dal përballë. Reaguan edhe qytetarë të rastësishëm që i falënderoj me gjithë zemër. Agresori largohet… por jo për t’u ndalur. Ai ndjek makinën dhe e godet pesë herë me radhë, me shpejtësi dhe qëllim të qartë për të bërë keq.

Zëri i nipit tim në telefon që bërtiste:

“Na ndihmo, po na vret!”

Është diçka që s’do ta harroj kurrë. Mbrëmë më keni parë të vrapoja si “e çmendur” rrugëve të lagjes në kërkim të familjes sime që dikush po përpiqej t’ma vriste, pa bërë asnjë faj. E vetmja lidhje me këtë njeri është se prindërit e tij, ish-punonjës në biznesin tim, janë larguar me dëshirën e tyre dhe në paqe totale duke marrë pagesën e kërkuar.

Nuk kërkoj asgjë më shumë se çfarë na takon si qytetarë: SIGURI dhe DREJTËSI.

👉 Veprim të menjëhershëm nga Policia e Shtetit për të kapur autorin

👉 Mbrojtje për familjen time.

👉 Zbatim të ligjit për të gjithë.

Po ndaj disa prej videove të kësaj ngjarjeje , jo për të bërë zhurmë, por për të treguar të vërtetën.

P.S: Kush nga ju miq e sheh këtë fytyrë të njoftoj sa më shpejt Policinë e Shtetit”