Policia dhe protestuesit kanë vendosur të lënë gurët dhe gazin në një moment dhe të afrohen për të pasur një komunikim ballë për ballë.

Një nga drejtuesit e forcave të rendit shihet teksa komunikon me disa të rinj me maska, të cilët kërkojnë të lejohen të protestojnë dhe të mos dhunohen nga ana e forcave të rendit.

“Ju kanë hequr dinjitetin, jepni dorëheqjen. Nuk rrahin më këta, u lodhën. Kemi edhe ne 30 orë pa bukë. Përse na gjuani kur jemi në tokë?

Mund të na shoqëroni, por jo të gjuani pa mëshirë. Nuk duam ta shkatërrojmë Tiranën, por na dëgjoni. Nuk duam gjak, nuk duam një 1997-të të dytë”, shprehen të rinjtë.

Nga ana e tij, shefi i policisë ka kërkuar që të protestohet në mënyrë paqësore dhe të mos sulmohen bizneset, institucionet dhe efektivët e policisë.

Protestuesit, në këtë moment armëpushimi, i kanë dhënë ujë efektivëve të policisë.