
Ditën e sotme në emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel u diskutua dhuna në familje, fenomen shumë i përhapur në vendin tonë. Shkak u bë rrëfimi i një 39-vjeçare, e cila ka treguar dhunën e tmerrshme që bashkëshorti dhe familjarët e tij kanë ushtruar ndaj saj.
Elvina Gjoka ka rrëfyer gjithashtu se nga kjo dhunë çnjerëzore ka marrë edhe vendime ekstreme për jetën e saj, pasi ka tentuar disa herë vetëvrasjen. Madje ajo ka shtuar se ish-bashkëshorti ka dhunuar djalin e tyre.
Për të folur në lidhje me dhunën në familje, e ftuar ishte ish-konkurrentja e “Për’puthen”, Antoneta Koçi, e cila u shpreh se “vajzat durojnë dhunën për shkak të mentalitetit”.

“Nuk është vetëm problemi i mentalitetit të djalit dhunues, por edhe të familjes që e ka martuar me mblesëri dhe i ushqejnë vajzat me idenë se e rëndësishme është të jesh e martuar, të bësh çfarë do burri. Bashkohet edhe negativiteti i njerëzve, të cilët nisin e dhunojnë. Unë besoj se kanë shumë probleme, e nuk shtrohet si pyetje. Por çështja është se si mund të bëjmë diçka për të ndryshuar këtë fenomen”, tha Antoneta.
Sipas saj, nuk u duhet dhënë pushtet këtyre njerëzve që janë të dhunshëm. Ajo shtoi se që në momentin e parë që ushtrohet dhunë, dhuna duhet të stopohet.
“Familja ose njerëz të tjerë që kanë parë shpullën e parë, duhej që të reagonin. Me shumë gjasa, ajo familje e ka ditur dhunën por e ka shtyrë që të durojë. Pastaj kërkuan që ta denonconin. Duhet të ndryshohet mentaliteti edhe në fshat. Nuk është vetëm ky rast, duhet të japim një kontribut edhe për rastet e tjera të tilla. Vajzat dhe familjet e tyre nuk duhet të pranojnë dhunën”, tha ish-konkurrentja e reality show-t.

E pyetur nëse ndjekëset e saj në rrjetet sociale i shkruajnë se dhunohet nga i dashuri apo bashkëshorti i tyre, Koçi u shpreh se “ka raste nga më absurdet”.
“Nuk janë raste vetëm nga njerëzit e paarsimuar apo me pak të ardhura. Ka edhe vajza që rrinë me partnerin e tyre vetëm se janë mirë ekonomikisht. Ato vajza janë rritur me këtë frymë, që duhet të jenë të nënshtruara”, tha Antoneta, e cila shtoi se këto vajza jo vetëm që nuk mendojnë t’i denoncojnë, por as nuk mendojnë që distancohen nga këta persona.
