Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me sherrin e ndodhur në burgun e Fierit, ku u përfshinë 3 të dënuarit, Jurgen Zoto, Aldo Gjini dhe Denis Brajoviç. Ky i fundit, i cili mbeti dhe i plagosur, ka ngritur akuza se Zoto dhe Gjini ishin urdhëruar nga Ibrahim Lici për ta vrarë. Në dëshminë e dhënë para autoriteteve, Brajoviç, i njohur dhe si Bajri, pretendon se Gjini i kërkoi të takoheshin dhe i shkoi në qeli së bashku me zoton. Ata i dhanë një telefon, në të cilin e priste në linjë Ibrahim Lici.

“Aldo Gjini kërkoi të më takonte. Ai erdhi ne qelinë time bashkë me Jurgen Zoton. Ky i fundit më dha një telefon. Në linjë ishte Ibrahim Lici. Ai më tha jeta jote kaq e pat!. Në atë moment Zoto tentoi të më sulmonte me thikë”, deklaroi ndër të tjera Denis Bajri.

Gjatë përleshjes, Bajri dhe Zoto mbetën të plagosur dhe u transportuan për ndihmë mjekësore në spitlain e burgut. Pas ngjarjes, Komisioni i Disiplinës në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve vendosi të përjashtojë 8 efektive të policisë dhe t’i referojë në prokurori për shpërdorim detyre. Shërbimi për çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Burgje është duke hetuar për të nxjerrë përgjegjësinë e punonjësve të policisë, të cilët kanë lejuar lëvizjet e të dënuarve dhe të paraburgosurve nga njëra godinë në tjetrën, si dhe faktin se ata kishin telefon, send rreptësishtë i ndaluar në qeli.

Komisioni i disiplinës urdhëroi masën e izolimit për 3 muaj për Gjinin e Zotaj. Aldo Gjini u transferua në Drenovë, ndërsa Zoto në burgun e Burrelit.