“Fiks Fare”


Vëzhgimi në shtëpitë e fëmijëve evidenton kushtet skandaloze nga mungesa e fondeve


Muret me kerpudha


Afro 35 fëmijë që jetojnë në shtëpinë e fëmijës së Sarandës ushqehen me qumësht pluhur, sakaq, drejtoria e kësaj shtëpie nuk ka buxhetin e nevojshëm për t’u siguruar qumësht të freskët. “Fiks Fare” solli fakte nga Shtëpia e Fëmijës Sarandë, ku gjendja fizike e godinës dhe kushtet e ambienteve ku jetonin fëmijët ishin alarmante. Mure të palyera, suva të rëna, dhoma dushesh pa dyer, dollapë të vjetër aq sa edhe vetë institucioni. Në muret me lagështirë të katit të fundit të kësaj ndërtese dallon kërpudha që kanë mbirë për shkak të lagështirës së madhe.


Ajo çfarë është më alarmante sipas drejtoreshës së këtij institucioni, Adriana Kushta, është buxheti i pamjaftueshëm që i ka akorduar Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. “Buxheti fillestar, si vitin e kaluar edhe këtë vit ishte në shumën 4.7 milionë lekë, por është i pamjaftueshëm për të përmbushur nevojat e fëmijëve, siç është vaksinimi, kancelaritë, librat, veshmbathje, zëra që janë zero në listë e shpërndarjes së këtij buxheti”, tregon Kushta, duke shtuar se, për nevojat ushqimore, mbeten borxh 6 milionë lekë të vjetra, nga viti i kaluar.


Aktualisht, qendra ka 32 fëmijë rezidencialë dhe 12 fëmijë ditorë, buxheti i të cilëve përballohet nga Bashkia e Sarandës. Drejtoresha e ndodhur në këtë detyrë vetëm prej pak muajsh tregon se në momentin e ardhjes së saj kishte gjetur fëmijë, të cilët kishin muaj që u mungonte qumështi. Fatmirësisht, me ndihmën e donatorëve ata kanë mundur që të sigurojnë qumësht pluhur për fëmijët, për të paktën 5 herë në javë.


Një tjetër problem i kësaj shtëpie fëmijësh është mungesa e infermieres, mjekut dhe psikologes, madje për shkak të mungesës së fondeve institucioni nuk ka as roje. Në këtë prag pranvere nuk ka as fonde për dezinfektimin e ambienteve të jashtme dhe të brendshme të institucionit. Drejtoresha tregon se i kanë kërkuar zyrtarisht Drejtorisë së Shëndetit Publik, Sarandë të bëjnë dezinfektimin e ambienteve, por përgjigja ka qenë si gjithmonë: “Nuk ka fonde”. Me decentralizimin e pushtetit, këto shtëpi fëmije janë nën administrimin e bashkive. Bashkitë marrin përsipër të mbulojnë shpenzimet për fëmijët të cilët janë ditorë nëpër këto institucione apo në investimet që duhen bërë në restaurimin e këtyre godinave. Megjithatë, peshën më të madhe të fondit e përcakton buxheti i shtetit që akordohet nga Ministria e linjës dhe dhurimet e donatorëve.


Saranda nuk është i vetmi qytet që ka një shtëpi fëmije në mëshirën e donatorëve. Edhe Shkodra e Vlora ngrenë të njëjtin shqetësim. Buxheti është i pamjaftueshëm, madje sipas drejtoreshës së shtëpisë së fëmijës në Vlorë, “Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale nuk i ka bërë mirë llogaritë”. Kjo qendër ka 28 fëmijë, kuota ditore vetëm për ushqim e të cilëve është 320 lekë. “Ne na akorduan një fond prej 28 milionë lekësh ndërkohë që vetëm nga llogaritja në bazë të numrit të fëmijëve, vetëm për ushqim duhen 31 milionë lekë. Pjesa tjetër e buxhetit është plotësuar nga Bashkia e Vlorës, e cila ka dhënë një ndihmesë shumë të madhe”, tregon drejtoresha. Edhe në shtëpinë e fëmijëve në Shkodër, problem qëndron mungesa e fondeve. Në raport me nevojat, fondet që akordohen janë tepër të vogla. “Fiks Fare” u interesua në Ministrinë e Punëve Sociale dhe Shanseve të Barabarta lidhur me problemet e buxhetit të këtyre institucioneve, por përgjigjja zyrtare e ministrit ishte sipërfaqësore dhe kalimtare, ku sipas të cilit: “fondet publike për qendrat sociale kanë ardhur në rritje nga viti në vit”. Nëse buxheti thotë se për vitin 2013 është 3% më i lartë, se në 2011-n, të paktën në katër shtëpi fëmijësh u konfirmua se nuk kanë fonde për të plotësuar të gjitha kërkesat dhe standardet që duhet të ketë një institucion i kësaj kategorie.