Kryeministri Edi Rama ka mbrojtur projektin e investimit në Zvërnec, duke deklaruar se ai është bërë publik prej kohësh dhe se gëzon mbështetjen e shumicës së qytetarëve.
Gjatë takimit me banorët e zonës, Rama u shpreh se kundërshtimet dhe protestat nuk do të ndryshojnë drejtimin e projektit, duke iu referuar mandatit që, sipas tij, i është dhënë nga votuesit.
“Jo 5 mijë veta, por 500 mijë të dalin në shesh, nuk mjaftojnë. Janë 800 e ca mijë që kanë bërë marrëveshje me mua dhe Partinë Socialiste. Ky investim nuk doli sot papritur. Unë e kam thënë në fushatë”, deklaroi Rama.
Kreu i qeverisë solli si shembull zhvillimin turistik të Tivatit në Mal të Zi, duke argumentuar se investime të ngjashme kanë transformuar zona që më parë ishin pak të zhvilluara.
“Unë isha në Tivat, erdha direkt nga Tivati këtu. Tivati ishte vendi më i pazhvilluar në Mal të Zi, nuk shkonin turistë se ishte bazë ushtarake”, tha ai.
Deklaratat e Ramës vijnë në një kohë kur projekti në Zvërnec ka shkaktuar debate dhe kundërshtime nga një pjesë e banorëve dhe aktivistëve të mjedisit.
