Ndonëse një ditë më parë u njoftua se do të aplikohet amnisti në burgje nga e cila u tha se përfitojnë 380 të burgosur, në të vërtetë rezulton se nuk ka asnjë listë konkrete dhe madje projektligji për amnistinë 2025 nuk ju është shpërndarë ende aktorëve të interesuar.

Top Channel u interesua pranë institucioneve për të disponuar kopje të projektligjit apo të draftit dhe jo zyrtarisht u mësua se ky draft nuk është ende gati. Diçka e tillë i ka vënë në lëvizje burgjet që gjatë ditës patën takim me ministrin e drejtësisë Besfort Lamallari, ku dhe u pranua nga burimet se është diskutuar edhe për grupet e punës që duhet të draftojnë kriteret se kush përfiton nga amnistia.

Një burim i sigurtë i përfshitë në këto diskutime, dha detaje nga drafti i pazyrtarizuar ku ende përmendet se do përfitojnë burrat që janë dënuar me një vendim të formës së prerë me burg deri në tre vjet ose dënime aletrnative dhe gjoba, kurse dënimi duhet të ketë marrë formë të prerë deri në 31 dhjetor 2025, ata të dënuar që deri në datën kur të hyjë në fuqi projektligji u ka mbetur tre vjet burg. Po diskutohet që në amnisti të përfshihen gratë e dënuara deri në katër vjet burgim. Zbritja e dënimit deri në një vit po diskutohet të aplikohet dhe për gratë e burgosura deri në një vit dhe po ashtu një vit për burrat.

Do përjashtohen nga amnistia të dënuarit për vrasje, të dënuarit e përjetshëm dhe ata që janë dënuar nga gjykata antikorrupsion. Ndërkohë që diskutohet që të përjashtohen nga ndjekja penale edhe kallëzimet e kryera gjatë këtij viti për të cilat parashikohet dënimi me maksimumin dy vjet burg.