Sali Berisha refuzon nismën e Edi Rama për referendumet

Kreu i opozitës, Sali Berisha, ka kundërshtuar nismën e Partisë Socialiste për zgjerimin e përdorimit të referendumeve, duke theksuar se nuk do të ketë bashkëpunim për miratimin e ligjeve të propozuara nga mazhoranca.

Në një deklaratë publike, Berisha u shpreh se opozita është e angazhuar në procese reformash, por jo në mbështetje të nismave të qeverisë. Ai theksoi se qëndrimi i tyre lidhet me paraqitjen e alternativave të veta, duke shtuar se nuk beson në një produkt të përbashkët me kryeministrin Edi Rama.

“Nuk votojmë asnjë ligj me PS. Jemi të angazhuar në proceset e reformës, në dy reforma. Jo se besojmë se Edi Rama do të pranojë të ketë një produkt të përbashkët, por kemi një opinion të tërë që kërkon që ne të paraqesim variantin tonë dhe ata të njihen me të. Por, të votojmë në mënyrë të njëanshme ligjet e PS, kjo s’ndodh! Edi Rama përpiqet që me shashka të mbulojë vjedhjet, jo!”, u shpreh Berisha.