“Jo dam-dum në sezon”. Me këtë mesazh, ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, njoftoi hyrjen në fuqi të vendimit që pezullon përkohësisht punimet e ndërtimit dhe aktivitetet e lidhura me to në zonat turistike.
Masa zbatohet nga hyrja në fuqi e vendimit deri më 15 shtator 2026 dhe synon të garantojë zhvillimin normal të sezonit turistik, mbrojtjen e destinacioneve dhe një mjedis më të qetë për qytetarët dhe vizitorët.
Sipas Gonxhes, vendimi përcakton qartë kategoritë e punimeve që pezullohen, ndërhyrjet që përjashtohen, zonat ku zbatohet masa, rregullat për lejet e ndërtimit, masat administrative dhe institucionet përgjegjëse për monitorimin.
Gjatë kësaj periudhe ndalohen punimet në karriera, pikat e nxjerrjes, përpunimit dhe shfrytëzimit të inerteve, si dhe aktivitetet e lidhura me to.
Pezullohen gjithashtu punimet e ndërtimit nga faza e gërmimeve dhe hedhjes së themeleve deri në përfundimin e ngritjes së karabinasë. Ndalimi përfshin edhe çdo aktivitet që shkakton zhurmë, pluhur ose ndikime të tjera negative në mjedis.
Nga pezullimi përjashtohen punimet e rifiniturave të brendshme dhe ndërhyrjet e vogla që kryhen pas përfundimit të karabinasë, me kusht që subjektet të jenë të pajisura me lejet përkatëse dhe aktiviteti të mos shkaktojë ndotje akustike, pluhur apo dëme të tjera mjedisore.
Ministri u bëri thirrje të gjitha subjekteve ndërtimore që të respektojnë legjislacionin dhe të bashkëpunojnë me institucionet përgjegjëse.
Sipas tij, zbatimi i masës është i nevojshëm për të garantuar një sezon turistik të qetë, të sigurt dhe me standarde të larta.
