Këshilli i Bashkimit Evropian ka vendosur se nuk do të ketë më azil për shqiptarët e Kosovës.
Tashëm Kosova përfshihet në listën e vendeve të sigurta, duke e bërë më të vështirë për qytetarët nga këto vende të kërkojnë azil në BE. Së bashku me Kosovën, në listën e vendeve të sigurta të origjinës janë futur edhe Bangladeshi, Kolumbia, Egjipti, India, Maroku dhe Tunizia. Tani i mbetet Këshillit të arrijë pajtueshmëri me Parlamentin Evropian për tekstin përfundimtar ligjor lidhur me këto dy akte.
“Sot, u pajtuam për listën e parë ndonjëherë të BE-së për vendet e sigurta të origjinës, e cila do të ndihmojë në krijimin e procedurave më të shpejta dhe më efikase të azilit, si edhe kthimin e atyre që nuk kanë nevojë për mbrojtje. Një moment i rëndësishëm për politikën e azilit të BE-së”, tha ministri danez për Imigracionin dhe Integrimin, Rasmus Stoklund.
Kjo nënkupton se azilkërkuesit që shkojnë në BE nga këto shtatë vende nuk do përfitojnë më azil, por do të kthehen mbrapsht në vendin e tyre.
Numri i azilkërkuesve nga Kosova në BE është rritur pas liberalizimit të vizave më 1 janar 2024. Më shumë kërkesa për azil ka pasur vetëm në vitet 2015/2016 kur dhjetëra mijëra kosovarë kishin emigruar drejt BE-së përmes rrugëve ilegale të Hungarisë. Franca ka qenë destinacion kryesor i shqiptarëve të Kosovës që kërkojnë azil në BE që nga viti 2018, kur për herë të parë zuri vendin e Gjermanisë si destinacion kryesor.
Sipas rregullores së procedurës së azilit 2024, e miratuar si pjesë e Paktit për Azilin dhe Migracionin, shtetet anëtare duhet të zbatojnë një procedurë të përshpejtuar për aplikantët nga një vend i sigurt i origjinës dhe mund ta kryejnë atë në kufi ose në zonat e transitit.
Rregullat për vendet e sigurta të origjinës bazohen në premisën se aplikantët nga këto vende supozohet të kenë mbrojtje të mjaftueshme kundër rrezikut të përndjekjes ose shkeljeve serioze të të drejtave të tyre themelore.


