Të tjera detaje janë zbardhur në lidhje me hetimet mbi vrasjen që tronditi vendin mëngjesi ne sotëm, ku Lulzim Visha u gjet i qëlluar me disa plumba në Tiranë.
Mësohet se përveç pistës së hasmërisë, një tjetër pistë hetimi është ngritur në lidhje me një konflikt që viktima ka pasur me dy vëllezër të zonës. Sipas raportimeve paraprake ekzekutimi mund të ketë pasur arsye edhe konfliktin mes viktimës dhe dy vëllezërve të ndodhur muajt e fundit.
Ngjarja e rëndë u raportua mëngjesin e kësaj të premte, kur 48-vjeçari u gjet pa shenja jete brenda një automjeti në rrugën “Shën Stefani”, në Zall Mner. Visha ishte postier në një postë private në Tiranë, dhe dyshohet se ishte nisur për në punë në momentin që është ekzekutuar me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar. Dyshohet se ai është qëlluar me silenciator pasi banorët e zonës janë shprehur se nuk kanë dëgjuar të shtëna. Ndërkohë në vendin e ngjarjes policia tha se janë gjetur 12 gëzhoja pistolete.
Pista paraprake e hetimit është hasmëria, pasi mësohet se viktima është vëllai i Besnik Vishës, i cili ka vrarë me armë zjarri në vitin 1997 Refik Domi për motive të dobëta në afërsi të Universitetit Bujqësor Tiranë. Autorët ende të paidentifikuar vijojnë të jenë në arrati, ndërsa dyshohet se janë larguar me një makinë tip “Porche” ngjyrë gri. Policia ka ngritur pika kontrolli dhe po vijon hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve si dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.