Amnistia Penale është miratuar pak ditë më parë nga Qeveria dhe pritet të kalojë në Kuvend. Nga kjo nuk do të përfitojnë vetëm shtetasit shqiptar, por pritet të përfitojnë edhe 19 shtetas të huaj. Ata janë dënuar në vendin tonë, për vepra të ndryshme penale. Në Relacionin për projektligjin për dhënie amnistie, bëhet e ditur se 7 shtetas të huaj do të lirohen menjëherë nga qelitë pas amnistisë.

Ndërsa 12 të tjerët, do të përfitojnë ulje të ndjeshme nga dënimi i mbetur. Por ata nuk do të lirohen menjëherë nga qelitë. Nga amistia penale pritet të përfitojnë mbi 20 mijë qytetarë, të dënuar apo në proces hetimi e gjykimi. Nga drafti i miratuar në Ekzekutiv, sipas ministrit të Drejtësisë, Lamallari pritet të lirohen 447 të burgosur, të cilët janë dënuar me vendim të formës së prerë. 

853 të dënuar të tjerë që përjashton nga falja totale e dënimit prej kategorisë së veprës penale do të përfitojnë ulje dënimi. Nga kjo përfitojnë me 1 vit për burrat dhe 1 vit e gjysmë për gratë dhe të miturit. Përveç të dënuarve të cilët do të lënë qelitë, do të përfitojnë edhe 5077 të dënuar me masa alternative në Shërbimin e Provës.

Gjithashtu do të pushohet ndjekja penale për plot 14 mijë procedime për vepra të lehta, të kryera deri në 31 dhjetor 2025. Vepra për të cilat parashikohet dënim deri në 3 vjet burg, me përjashtim të krimeve që janë te kriteret ndaluese.