Pas Tiranës, studentë të Durrësit, Korçës dhe Shkodrës kanë bojkotuar mësimin në shenjë revolte. 

Mbi 80% e studentëve në Fakultetin e Bujqësisë në Korçë nuk janë paraqitur në auditorë në shenjë mbështetjeje për protestën e zhvilluar në Tiranë. Studentë dhe nxënës të gjimnazeve në Korçë kanë paralajmëruar edhe një protestë e cila pritet të mbahet rreth orës 11:00 në qendër të qytetit.

Ndërkohë edhe studentët e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në Shkodër kanë bojkotuar mësimin dhe kanë dalë në protestë. Ata i janë drejtuar bashkisë dhe po bëjnë thirrje si “Shqipëria kërkon revolucion!”, “Shqipëria e shqiptarëve, vdekje tradhtarëve!”

Studentët e Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës kanë nisur bojkotin e auditorëve, për t’u bashkuar në protestën e paralajmëruar prej tyre dhe në solidarizim me studentët e Tiranës. Lëvizja ka nisur në kampusin universitar të Spitallës dhe është parashikuar të zhvendoset në qendër të qytetit, me marshimin drejt Bashkisë Durrës.