Kundërshtimet ndaj projektit turistik në Zvërnec janë shtrirë edhe në Vlorë, ku qytetarë dhe aktivistë janë mbledhur në Sheshin e Flamurit për të protestuar kundër zhvillimit të planifikuar në zonën e mbrojtur.

Gjatë tubimit, protestuesit kanë mbajtur pankarta dhe kanë lëshuar thirrje kundër qeverisë, duke kërkuar ndalimin e projektit dhe mbrojtjen e pasurive natyrore të zonës.

Ndërkohë, në Tiranë po zhvillohet protesta e katërt kundër projektit në Zvërnec. Pjesëmarrësit kërkojnë pezullimin e ndërtimeve, transparencë mbi procedurat e ndjekura dhe garanci për mbrojtjen e mjedisit.

Protestat vijnë në një kohë kur debati mbi investimin ka përfshirë qytetarë, organizata mjedisore dhe përfaqësues të institucioneve, me palët që mbeten të ndara mbi ndikimin që projekti pritet të ketë në zhvillimin ekonomik dhe në ekosistemin e zonës.