Ditën e sotme në emisionin “Shqipëria Live” u diskutua gjatë mbyllja e faqes së “Facebook”-ut të portalit “JOQ Albania”. I ftuar për të folur rreth kësaj çështje ishte Skerdi Faria, i cili dha dy raste kur ky portal ka shkruar për klinikën e tij/


“Ka ndodhur dy herë para 1 muaji. Një vajzë erdhi e bëri një analizë për tamponin e Covid dhe përgjigja doli e dyshuar. E kjo del jo vetëm te laboratori jonë, por kudo në botë. Ky tampon merret dhe analizohet sërish. Kjo vajza për të patur përgjigjen nga instituti shtetëror i duhej kohë, ndërsa nga ne e mori brenda ditës. Por vajza i ka shkruar JOQ rreth këtij tamponi të dyshuar dhe ai e publikoi si lajm. Sapo e lexova vendosa tu shkruaj atyre dhe tu tregoja se si funksionon.U lidha me përfaqësuesit e faqes. Bëra një videon për të shpjeguar se si funksionin e gjithë kjo dhe e publikova te faqja ime dhe më pas ata e publikuan te faqja e tyre. Me kaq u mbyll kjo gjë”, tha Skerdi.


Ky i fundit u shpreh se JOQ nuk i ka kërkuar asnjëherë para që të mos e publikonin lajmin. Sipas tij, në momentin që ka dalë lajmi dhe e kanë lexuar të gjithë, nuk kanë pse të kërkojnë gjë.


“Do të ishte diçka më e drejtë se nëse ka një lajm për diçka, institucioni apo personi që është në lajm gjendet lehtë dhe ta komunikojnë. Ka një shpjegim shkencor pas të cilit nuk fshihem unë”, tha Skerdi duke treguar për tamponin e dyshimtë.


Më pas ai tregoi rastin e dytë, ku një paciente rumune që jetonte në Angli ka ardhur që të bëjë gjoksin te klinika e tij.


“Pas operacionit ajo nuk u kujdes mirë dhe kishte probleme me mbylljen e gjoksit. Për ca ditë u zhduk pasi kishte shkuar me pushime në jug të Shqipërisë. E gjatë kësaj periudhe plaga është bërë më e madhe. Nuk mori trajtimet tona pasi u largua në Angli.


Më pas ajo ka komunikuar me JOQ dhe ka treguar variantin e saj. Unë më pas bëra një përmbledhje të të gjithë situatës dhe ja dërgova JOQ, por akoma nuk i kanë publikuar. Edhe në këtë rast do të ishte më mirë që të më komunikonin”, tha Skerdi.