Në vijim të procesit gjyqësor për dosjen “Plumbi i Artë”, sot ka dëshmuar i penduari i drejtësisë Skerdi Tase. Në sallë ishte i pranishëm edhe i akuzuari Petrit Qoli, i cili iu drejtua Tasës me disa pyetje.
Një nga pyetjet e Qolit lidhej me vrasjen e ish-deputetit Fatmir Xhindi, duke e pyetur drejtpërdrejt nëse ishte ai personi që kishte qëlluar ndaj tij. Por, në momentin kur Tase do të përgjigjej, GJKKO vendosi ta ndalonte dëshminë për këtë çështje.
“Mos jeni ju ai që keni qëlluar deputetin Fatmir Xhindi? Sepse keni thënë që gjithmonë i keni qëlluar njerëzit nga një distancë prej 5 metrash, ndërkohë që Xhindi është vrarë nga po e njëjta distancë? A shihni mirë afër apo larg, sepse unë nuk shoh as afër e as larg, dhe ju kurrë nuk keni qëlluar në shenjë – si ka mundësi?”, ishte pyetja e drejtpërdrejtë e Qolit ndaj Tasës.
Dosja “Plumbi i Artë” përfshin akuza të rënda ndaj disa të pandehurve, mes tyre vrasje, tentativa atentatesh dhe grabitje me dhunë. Hetimet janë ngritur mbi dëshmitë e Nuredin Dumanit, i cili në cilësinë e bashkëpunëtorit të drejtësisë ka zbardhur mbi 12 ekzekutime dhe dhjetëra krime të tjera të kryera gjatë një dekade, përfshirë porositë për vrasje që arrinin deri në 200 mijë euro.