Gjatë seancës plenare të kësaj të shtune, deputeti i PD-së, Bledjon Nallbati, i kërkoi debat kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi sa i përket situatës në Devoll.

“Nëse pretendon se është e kundërta, të kam bërë një ftesë gjatë fushatës që unë, ti, ky tjetri këtu sipër, ai guaku i bashkisë, të ulemi në sheshin e qytetit të bëjmë një debat. Nuk patët guxim. Ju ftoj prapë, ulemi në qendër të qytetit të Bilishtit, ftoj të gjithë qytetarët e Devollit dhe e bëjmë aty debatin. Shohim nëse qëndrojnë ato që thoni ju apo ato që them unë”, tha ndër të tjera Nallbati.

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, iu kthye duke thënë: “Duhet të qërosh fjalorin dhe duhet t’i drejtohesh kolegëve me respekt, pavarësisht mendimeve të kundërta. Nëse një koleg ose qytetarët nuk shoqërohen me ty në një shesh të qytetit ose fshatit, mos e shih problemin te ata, por shihu në pasqyrë dhe shihe problemin te vetja”.