Ministri Toni Gogu i është përgjigjur deklaratave të Sali Berishës nga foltorja e Kuvendit, pasi kreu i PD iu drejtua mazhorancës “ju jeni e keqja banale:”
Në nisje të fjalës së tij nga foltorja e Kuvendit, Berisha citori filozofen e njohur Hanna Arendt, ndërsa Toni Gogiu iu përgjigj: “Do ishte mahnitur vetë Hannah Arendt po të dëgjonte këtë fjalim, sepse në mendjen e saj kurrë nuk pati ligjvënës që miratojnë ligje të cilët çojnë vendin përpara në integrimin europian. Pati shtetarë të cilët, me pushtetin e tyre absolut, vranë për të mbrojtur pushtetin e tyre.”
Gogu shtoi se interpretimi i opozitës për konceptin e “banalitetit të së keqes” përbën, sipas tij, një shembull të “banalitetit të përgjegjshmërisë”.
“Dhe të dilni juve të flisni për banalitetin e së keqes është, besoj, shembulli më i mahnitshëm i banalitetit të përgjegjshmërisë.”
Ai komentoi edhe ndërprerjen e mikrofonit gjatë seancës, duke e cilësuar si një sinjal për pritshmëritë që qytetarët kanë ndaj opozitës.
“Ai një minutëshi i mbylljes së mikrofonit, për të mos dëgjuar më haluçinacione politike dhe filozofike në mes të Europës, është një kumt për të gjithë ata njerëz të cilët presin që opozita të bëjë punën e saj dhe ta çojmë këtë vend përpara, së bashku t’i bashkohet shumicës dhe të anëtarësohemi brenda afatit që kemi marrë përsipër.”
Top Channel
