Deputetja e Partisë Socialiste, Zegjine Çaushi, ka reaguar ndaj pretendimeve se ka blerë një banesë në Tiranë me vlerë 240 mijë euro, pas vetëm një viti në detyrën e deputetes.

Reagimi i saj erdhi pas një komenti në rrjetet sociale, ku një ndjekës e akuzonte se kishte siguruar një banesë me këtë vlerë brenda një kohe të shkurtër nga hyrja në politikë.

Çaushi i ka hedhur poshtë pretendimet, duke sqaruar se nuk ka blerë një apartament të përfunduar, por ka prenotuar një banesë në një pallat që ende nuk ka nisur të ndërtohet.

Sipas deputetes socialiste, blerja është planifikuar të realizohet përmes një kredie dhe pagesave me këste, një praktikë që, siç shprehet ajo, ndiqet nga shumë qytetarë.

“Ku bazohesh ti që kam marrë shtëpi 240 mijë euro? Apo mjafton të shpikësh një shifër dhe ta thuash si të ishte e vërtetë?”, shkroi Çaushi në përgjigjen e saj.

Ajo i kërkoi komentuesit të paraqesë fakte për pretendimet e ngritura, duke kundërshtuar publikimin e shifrave që i cilësoi të pavërteta.