Detaje të reja janë zbardhur nga mbledhja e fundit e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, e zhvilluar në selinë rozë, ku i pranishëm ishte edhe Kryeministri Edi Rama.
Burime nga mbledhja bëjnë me dije se Rama u ka dhënë një mesazh të qartë deputetëve të rinj: të tregojnë kujdes maksimal në sjellje dhe në mënyrën e komunikimit, sidomos në raport me gazetarët dhe gjatë takimeve zyrtare.
Kryeministri nuk i ka kursyer as batutat, teksa ka vlerësuar mënyrën se si Vasil Llajo, si deputeti më i vjetër, drejtoi seancën e parë të Parlamentit. “Po ta dija më përpara këtë talent të Llajos në drejtim, ndoshta do ta kishim bërë Kryetar Kuvendi”, është shprehur Rama me humor.
Gjithashtu, duke iu referuar Niko Peleshit, kryeministri u shpreh: “Ka fat ky korçari”, duke nxitur të qeshura mes të pranishmëve.
Në fund, Rama ka dhënë dhe një direktivë të qartë: ngritja sa më parë e Komisioneve të Etikës në çdo bashki, si një masë për të garantuar standarde më të larta në qeverisjen vendore.