Ervin Salianji ka reaguar në lidhje me deklaratat e kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili quajti ish-deputetin e PD “si të birësuar”.

Me anë të një postimi në Facebook, Salianji shkruan se Sali Berisha ka frikë nga gara dhe demokracia. Ai thekson se PD nuk është klub privat ku hyrjet dhe daljet vendosen me humorin e një njeriu, por një forcë politike që duhet të funksionojë me rregulla.

“Në mungesë të votës, shpik etiketa. Në mungesë të garës, shpall ‘të vetëpërjashtuar’. Sa më shumë flet për përjashtime, aq më e qartë bëhet frika nga gara. Partia Demokratike nuk është klub privat ku hyrjet dhe daljet vendosen me humorin e një njeriu, por një forcë politike që duhet të funksionojë me rregulla dhe me votën e anëtarëve të saj. Ironike që ky që flet për demokraci, është i pari që i trembet asaj. Unë nuk kam nevojë për bekime, as për leje. Kam vetëm një kërkesë: garë të hapur dhe votë të lirë. Pjesa tjetër është zhurmë për të mbuluar frikën. E frikë bën mirë që ka se e ka keqpërdorur funksionin për interesa personale dhe biznesi! Demokratët duan një Parti Demokratike fituese”, shkruan Salianji.

Ndërsa sa i takon pjesës tjetër që tha Berisha, në lidhje me një mendim që Salianji i kishte kërkuar kreut të PD që të firmoste një deklaratë për të mos “vrarë” Fatmir Xhafajn, ish deputeti demokrat tha se kjo është një shpifje.

Ai u shpreh me ironi se  Berishës i flet subkoshienca se ka merak se mos vrasin Ramën me votë.

“Sa për hallin që ka se mos ‘vras’ Xhafajn, i flet subkoshienca se ka merak se mos “vrasim’ Ramën me votë. Burri ka kohë te turpërohet gjithë jetën e vet, por të bjerë në këtë nivel është e paimagjinueshme dhe fiks siç nuk e urojnë as kundërshtarët më të ashpër! Shpifje si kjo tregojnë sa të madhe e ka frikën dhe dëshpërimin, akuzat për vrasje dihet kush i ka mbi shpinë,  siç dhe tregon mendësinë vrasëse sepse  dikush  që dëgjon këto biseda dhe nuk i denoncon tregon për veten! Meqë ky po e mbështet SPAK këtë periudhë, unë jam i gatshëm dhe i bëj thirrje SPAK të nisë hetimin për tentativë vrasje ose moskallëzim krimi”, shkruan Ervin Salianji.