Kryeministri Edi Rama deklaroi se debati rreth projektit në Zvërnec është shfrytëzuar nga aktorë të jashtëm për të dëmtuar imazhin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Sipas tij, janë përdorur narrativa dhe materiale të manipuluara për të goditur reputacionin e vendit, duke përmendur edhe marrëdhënien historike të shqiptarëve me komunitetin hebre gjatë Luftës së Dytë Botërore.
“Gjëja ka marrë përmasa botërore dhe është shumë e thjeshtë për ta kuptuar se përse Irani është i interesuar për këtë narrativë. Kjo narrativë fillon duke shkatërruar një nga pikat më të forta të reputacionit të shqiptarëve nëpër botë. Myslimanët shqiptarë, së bashku me të krishterët, shpëtuan hebrenjtë. Kjo është një medalje ari që i është dhënë Shqipërisë. Pastaj bëhen me inteligjencë artificiale video protestash që nuk ekzistojnë, me miliona njerëz buzë detit. Ku ka buzë detit miliona njerëz? Të gjitha mediat në Lindjen e Mesme, në Izrael dhe në Amerikë nxjerrin ato pamje dhe thonë: ‘Ja’. Ky është një sulm për të na bërë gropën. Është sulmi që është bërë nga armiqtë e Shqipërisë, Irani, që e kanë shfrytëzuar këtë moment”, tha Rama.
