Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ka njoftuar se ka nisur shpërndarja e bonusit të verës për pensionistët në të gjithë vendin.
Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, ajo bën me dije se vetëm në ditën e parë të shpërndarjes, deri në orën 16:00, kanë tërhequr bonusin 33,119 pensionistë.
Sipas saj, bonusi prej 5,000 lekësh po shpërndahet së bashku me pagesën mujore të pensionit dhe përfitues janë gjithsej 777,200 persona, përfshirë pensionistët dhe përfituesit e skemave të veçanta të trajtimit financiar.
Ibrahimaj thekson se kjo është hera e parë që bonusi i verës akordohet në mesin e vitit, duke e cilësuar si pjesë të politikave për mbështetjen e pensionistëve dhe ndarjen e përfitimeve të rritjes ekonomike me qytetarët.
“Bonusi i verës ka nisur të shpërndahet!
Deri në orën 16:00 të ditës së parë të shpërndarjes, 33119 pensionistë kanë tërhequr bonusin e verës prej 5,000 lekësh.
Bonusi po shpërndahet së bashku me pagesën e pensionit dhe do të përfitohet nga 777,200 pensionistë dhe përfitues të skemave të pensioneve dhe trajtimeve të veçanta financiare.
Ky është bonusi i parë i akorduar në mesin e vitit, si pjesë e angazhimit për të mbështetur pensionistët dhe për të ndarë përfitimet e rritjes ekonomike me qytetarët”, shkruan Ibrahimaj.
